Një vështrim historik mbi 25 vjetorin e krijimit të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë
Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë është një risi e dekadave të fundit në sistemin shëndetësor shqiptar. Krijimi i tij u arrit si një domosdoshmëri e kohës, si një imperativ në mjekësinë tonë. Urdhri i Mjekëve është një organizëm që ka shumë kohë që ekziston në shumë vende të qytetëruara të botës.
Ai krijohet me vetë nismën e mjekëve, për interesat e tyre profesionale në shërbim të të sëmurëve, i pavaruar nga hallkat shtetërore dhe pa asnjë ndikim ideologjik, partiak, racist, etnik apo fetar. Nënkuptohet, se një gjë e tillë as nuk mund të konceptohej, pa le të realizohej pa vendosjen e një sistemi shoqëror demokratik, të mbështetur në ekonominë e tregut, pa lirinë e mendimit dhe iniciativës private.
Urdhri i Mjekëve u krijua në bazë të Ligjit 7708, datë 18.05.1993 “Për Krijimin e Urdhrit të Mjekëve” Nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit të asaj kohe u ngrit Komisoni Qëndror i Përkohshëm, i cili hartoi planin për njohjen e këtij organizmi në bashkësinë e mjekëve të të gjithë vendit dhe organizoi zgjedhjet për strukturat e tij. 12 Këshilla Rajonale për të gjithe vendin analogjikisht me ndarjen administrative të territorit të vendit.
Nga Këshillat Rajonale u caktuan delegatët për Konferencën e I-rë Kombëtare të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë (sot Asamblea Kombëtare), e cila pas shumë diskutimesh të ndryshme në 14 Janar 1994 zgjodhi Këshillin Kombëtar dhe Presidentin e parë të tij Prof. Dr. Koço Poro.
Me zgjedhjen e Këshillave Rajonale dhe Këshillin Kombëtar u vendos struktura organike, e cila natyrisht përcaktoi fazën fillestare pas të cilës filloi aktiviteti, puna praktike dhe ana funksionale e Urdhrit të Mjekëve. – Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Dr. Raif Hasani.
U fillua nga puna për të hapur zyrat në rrethe e qendër, për të krijuar regjistrin e parë të mjekëve, me dosjet personale (nje lloj portofoli profesional të çdo mjeku), u hartua një draft i parë i “Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”.
Por, pavarësisht entuziazmit të fillimit, punët nuk shkuan siç duhet. Klima nuk ishte e favorshme, pengesat me të cilat Urdhri i Mjekëve përballej ishin me karakter dhe natyra të ndryshme nga mosnjohja tek injorimi dhe konceptet e gabuara për të.
Këto haseshin në publik, bashkësinë e mjekëve dhe veçanërisht në administratë shëndetësore. Ndryshimet e shpeshta të drejtuesve në institucionet shëndetësore publike bënin që ç’ka arrihej të rrëzohej prapë e të nisej nga e para.
Kështu nuk u arritën të konsolidoheshin marrëdhëniet e bashkëpunimit me partnerët tanë në institucionet e reja me nivel mediokër të menaxhimit të tyre. Mbi të gjitha ligji nuk lejonte pavarësi të plotë të Urdhrit të Mjekëve.
Kontakte me organizma homologe të huaja në këto rrethana ishin pa fryte. Sidoqoftë, ato na sygjeruan të ndryshonin ligjin për të siguruar pavarësi të plotë profesionale, buxhetore, shmangie nga ndikimet politike për të siguruar një vetërregullim dhe vetëqeverisje profesionale.
Nç vitin 1999 Dr.Din Abazaj u zgjodh president i 2-të i Urdhrit të Mjekëve, i cili u loboi fort për ndryshimin e ligjit të Urdhrit të Mjekëve.
Në Qershor 2000, Kuvendi i Shqipërisë shfuqizoi ligjin e vjetër dhe më datë 01.06.2000, miratoi Ligjin me Nr. 8615 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili e përcaktoi atë si ent publik, të pavarur, jo buxetor, jo politik, thelbësisht profesional.
Vizita e parë e Shoqatës Mjekësore Gjermane dhe bashkëpunimi me Këshillin e Përgjithshëm Mjekësor të Britanisë së Madhe (GMC) me një projekt 2 (dy) vjeçar ndryshoi rrënjësisht situatën.
U hartuan dokumentat bazë : Statuti, Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore dhe rregulloret për mbarëvajtjen e punës së Urdhrit të Mjekëve.
Bazuar në ligj dhe në dokumentat bazë u nënshkruan marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi me: Ministrinë e Shëndetësisë (bazuar në të, në Këshillat Rajonale u nënshkruan marrëveshje lokale me institucionet shëndetësore publike), me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore, me Qëndrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Avokatin e Popullit, etj.
Bazuar në to, u saktësua dhe u konsolidua hapësira e veprimit të Urdhrit të Mjekëve me aktorët dhe faktorët e shumtë që veprojnë në sistemin shëndetësor shqiptar.
Bazuar në ligj dhe dokumentet bazë të hartuara dhe miratuara nga stukturat e tij, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë kishte të përcaktuar qartë objektivat, synimet, veprimtaritë themelore midis të cilave përmendim:
- Përsosja e procesit të regjistrimit dhe krijimi i regjistrit themeltar kombëtar dhe rajonal të Urdhrit, informatizimi dhe administrimi i tyre bazuar në rregulloret përkatëse.
- Vendosja e standardeve profesionale dhe monitorimi i respektimit dhe zhvillimit të tyre.
- Institucionalizimi dhe konsolidimi i bashkëpunimit me organizmat shtetërore dhe jo shtetërore duke njohur si partner strategjik Ministrinë e Shëndetësise, në këtë kontekst institucionalizimi në sistem i praktikës së liçensimit dhe ri-liçensimit si atribut i Urdhrit të Mjekëve.
- Pranimi, shqyrtimi i ankesave dhe zhvillimi i gjykimit profesional.
- Gjallërimi dhe rritja me efektivitet të veprimtarisë të Këshillave Rajonale dhe Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.
- Konsolidimi i Urdhrit si organ me autoritet të besueshëm në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.
- Bashkëpunimi me stakeholders kombëtar dhe ndërkombëtar.
- Marrëdhëniet ndërkombëtare me oganizmat homologe dhe anëtarësimi në forumet ndërkombëtare me interes për Urdhrin.
Gjatë këtyre viteve, Urdhri I Mjekëve të Shqipërisë u anëtarësua me te drejta të plota në shumë organizma ndërkombëtare
IAMRA - International Association of Medical Regulatory Authorities
ZEVA - Symposium of the Central and Eastern European Chambers of Physicians
SEEMF - The South-Eastern European Medical Forum
GIPEF - (Grecia Italia Portogallo Spagna Francia Belgio Cipro Slovenia Lussemburgo Albania)
CEOM – ECMO – European Council of Medical Orders (anëtarësimi me të drejta të plota u arrit në vitin 2017)
EFMA – European Forum of Medical Association
CPME – Standing Committee of European Doctors (në rolin e vëzhguesit)
WMA – World Medical Association
Analizimi, gjykimi, vlerësimi dhe ballafaqimi i punës sonë me përvojën bashkëkohore ndërkombëtare ka qënë çelsi i arritjeve tona dhe baza për të ndërmarrë sfida të reja. Veprimtaritë e shumta kombëtare dhe pjesëmarrja në ato ndërkombëtare ishin në funksion të këtij procesi. Falë kësaj fryme, u bënë realitet implementimi i liçensimit dhe ri-liçensimit të mjekëve, praktika profesionale për mjekët e rinj, edukimi i vazhdueshëm mjekësor, vlerësimi i kompetencës dhe performancës profesionale, etj.
Besimi, mbështetja dhe kontributi i gjithë bashkësisë së mjekëve bëri që strukturat drejtuese të Urdhrit të Mjekëve në bashkëpunim me stakeholders e shumtë kombëtar dhe ndërkombëtar të sigurojnë një ecuri dhe përparim konstant në realizimin e funksioneve dhe misionit të tij.
Me moton “Drejtojmë mjekët dhe mbrojmë pacientët” edhe pse vetëm në 2 (dy) dekada veprimtari, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë u bë një zë i rëndësishëm në sistemin shëndetësor shqiptar, si një organizëm më standarde dhe parametra të nivelit ndërkombëtar.
Më 2014, Kuvendi i Shqipërisë shfuqizoi Ligjin 8615, datë 01.06.2000 “Për Urdhrin e Mjekëve të Shqipërisë”, ku në të përveç mjekëve të përgjithshëm dhe specialistë, ishin anëtarë edhe mjekët stomatologë.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit 123/2014, datë 25.09.2014 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” anëtarë janë vetëm mjekët e përgjithshëm dhe mjekët specialistë.
Në pranverën e vitit 2015 u bënë zgjedhjet e reja
Presidenti i 3-të i Urdhrit të Mjekëve u zgjodh Dr.Fatmir Brahimaj - ish president i Keshillit Rajonal, Qarku Vlorë dhe anëtar i Keshillit Kombëtar në dy legjislaturat e mëparshme.
Sic përcaktonte ligji i ri u fillua puna :
- Miratimi i Statutit dhe rregulloreve të Urdhrit të Mjekëve duke u përshtatur me Ligjin e ri;
- U krijua një regjistër i ri elektronik më i plotë dhe më bashkëkohor.
- U riorganizuan trupat e gjykimit profesional duke u trajnuar për veprimaritë e tyre
- Synimi kryesor vazhdimësia e veprimtarisë, duke konsoliduar arritjet dhe përballja me sfidat e reja.
Objektivat:
- Garantimi i pavarësisë të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë;
- Ruajtja e ekuilibrit financiar;
- Ruajtja, zhvillimi dhe forcimi i bashkëpunimit më ndërkombëtarët
Sfida e madhe e jona
Zbutja e krizës së besimit të publikut ndaj bluzave të bardha. Duke punuar dhe synuar që mjeku të ketë dinjitetin dhe personalitetin që meriton dhe publiku te jete më i sigurtë për kujdesin shëndetësor që i ofrohet.